S’jemi gati për zgjedhje!

Partitë politike në Kosovë ende nuk janë përcaktuar se në cilat komuna me cilët kandidatë do të garojnë, pavarësisht se zgjedhjet lokale dita- ditës po afrohen. Ndonëse ende nuk është caktuar data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, megjithatë kryetarëve aktualë të komunave në vjeshtë u përfundon mandati.
Ndërkohë jozyrtarisht thuhet se presidentja Atifete Jahjaga si datë të mundshme për zgjedhjet lokale e ka menduar fundin e shtatorit, shkruan zëri.
Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, thotë se e para e vendit është duke u konsultuar vazhdimisht me partitë politike, ndërkaq, kur t’i marrë qëndrimet e të gjitha partive do të vendosë për datën e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale.
“Janë konsultimet me të gjitha subjektet politike, partitë politike parlamentare. Do të merret një vendim në bashkëpunim me partitë edhe subjektet politike. Dhe kjo pritet të bëhet diku nga gjysma e muajit maj”, thotë Vllahiu. Ai thotë se ndonëse nuk është caktuar data e saktë për mbajtjen e zgjedhjeve, koha në mes të 17 shtatorit dhe 15 tetorit është periudha kur do të duhej të mbaheshin ato.
“Në këto data është afati ligjor. Vjeshta e hershme, siç e kemi quajtur, mund të jetë prej opsioneve të mundshme”, nënvizon ai./Indeksonline/