Stabilizohet gjendja e ambasadorit Shkurov, Ambasada Ukrainase: Falënderojmë autoritetet shqiptare për reagimin e shpejtë

Gjendja e ambasadorit ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, është stabilizuar pas një urgjence shëndetësore që e detyroi diplomatin të transportohej me helikopter në Tiranë.
“Ambasada falënderon autoritetet shqiptare për reagimin e shpejtë dhe profesional. Gjendja e ambasadorit raportohet si e stabilizuar dhe ai po merr kujdesin e duhur mjekësor,” njoftoi Ambasada e Ukrainës.
Në orët e para të ditës, ambasadori Shkurov mësohet se u ndje keq dhe kaloi një gjendje infarkti teksa ndodhej në fshatin e Voskopojës në Korçë me bashkëshorten e tij. Ai u nis me urgjencë drejt spitalit të Korçës për ndihmën e parë, ndërsa stafi mjekësor këshilloi dërgimin e tij për në kryeqytet.
Një helikopter e transportoi diplomatin ukrainas pas mesditës, ku u prit nga një ambulancë e specializuar që e dërgoi në një nga spitalet e Tiranës për trajtim të mëtejshëm kardiologjik.
Ambasadori Shkurov është emëruar si i dërguari i Ukrainës në Shqipëri prej prillit 2020.
/rtsh.al/