E Diel, 1 Nëntor 2026

Stadiumi “Loro Boriçi” po bëhet gati për të pritur ndeshjet e Kampionatit Europian U21

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Shqipëria vijon përgatitjet për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit europian që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2027.

Shqipëria do të jetë bashkëorganizatore e Kampionatit Europian U-21, një turne që do të sjellë në vendin tonë talentet më të spikatura të futbollit europian dhe një numër të konsiderueshëm ndeshjesh ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga puna përgatitore që po bëhet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, të cilin e cilësoi si “shtëpia e Vllaznisë”.

Rama tha se stadium po bëhet gati për të mirëpritur ndeshjet e Kampionatit Europian U21, me ndërhyrje që synojnë kushte më të mira për lojtarët dhe tifozët.

Kampionati Europian U-21 do të jetë një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë për të vijuar eksperiencën e saj në organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare të futbollit, duke sjellë një tjetër dimension të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit, promovimin e vendit dhe qyteteve pritëse.

Përgatitjet do të vijojnë gjatë muajve të ardhshëm, në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n, ndërsa stadiumet dhe qytetet pritëse do të jenë në qendër të këtij procesi deri në startin e turneut në vitin 2027.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›