E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Sterilizimi”, Konferenca e Kryetarëve rrëzon kërkesën e opozitës për shtyrje të afatit të Komisionit Hetimor

Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e opozitës për zgjatjen e punimeve të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi. Afati i komisionit përfundon ditën e nesërme (14 nëntor), teksa kërkesa e opozitës për shtyrjen e afatit pritet të kalojë nesër në seancë plenare për votim.

Opozita kërkoi shtyrjen e afatit duke këmbëngulur në dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.

“Ky komision nuk mbyllet pa dëshminë e Edi Ramës dhe Vilma Nushit”, tha kryetarja Albana Vokshi në mbledhjen e kësaj të mërkure.

Po nga ana tjetër, maxhoranca e  konsideroi kërkesën për dëshminë e kryeministrit Edi Rama si “axhendë politike të opozitës”.

“Ju po çoni para një axhendë politike, ne jemi këtu për një proces ligjor dhe akuzat politike nuk kanë vend këtu”, u shpreh nënkryetari tha Plarent Ndreca.

Ndërkohë, dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka mbetur peng e debateve mes maxhorancës dhe opozitës. Me pranga në duar, Beqaj la dje qelinë dhe shkoi në Kuvend, por megjithatë dëshmia e tij nuk u dëgjua. Mbledhja u shty për ditën e sotme, ku Beqaj pritej të dëshmonte në orën 10:30, por sërish një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Punimet e këtij komisioni janë shtyrë dy herë deri më tani. Fillimisht afati u shty deri më 22 tetor, por megjithatë nuk mjaftoi që të mbylleshin punimet dhe për pasojë, Kuvendi votoi sërish për t’i shtyrë punimet deri më 14 nëntor. Komisioni Hetimor për Sterilizimin Check-up-in dhe është shoqëruar me debate të vazhdueshme mes maxhorancës dhe opozitës, duke çuar në zvarritje të punimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›