Stili tradicional i shtëpive gjirokastrite, të huajt të mahnitur nga lagjet e sipërme

Të huajt gjithnjë e më tepër zgjedhin të përfshijnë në agjendat e tyre vizitat në lagjet e sipërme të qytetit të Gjirokastrës.
Ndër më të njohurat është lagjja Dunavat, ku arkitektura unike e shtëpive prej guri, të ndërtuara sipas stilit tradicional gjirokastrit, po tërheq gjithnjë e më tepër vizitorët.
“Është e mrekullueshme. Këtu ndiejmë vërtet historinë dhe kulturën tipike të vendasve. Çdo shtëpi duket si një vepër arti me çatitë e gurta dhe portat me harqe. Është kaq ndryshe nga Franca, vendi nga i cili vijmë ne. Kishim parë në rrjetet sociale fotot dhe videot, por është diçka ndryshe kur e prek nga afër,” thotë një turist francez.
Një tjetër atraksion që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje është ura e Ali Pashës, që ngrihet mbi lagjen Dunavat, një monument që tërheq jo vetëm për historinë, por edhe për pozicionin piktoresk.
“Vijmë nga Londra. Prej një jave jemi në Shqipëri. Vizituam qytetin e Gjirokastrës, kalanë dhe muzetë. Vendosëm të vizitojmë edhe urën e Ali Pashës. Është një vepër arti madhështore. Terreni ishte pak i vështirë, por ia vlen ta vizitosh,” tregon një tjetër artist.
Kjo lagje ka ruajtur në thelb autenticitetin e saj dhe kjo është pikërisht ajo që kërkojnë të huajt – përvoja të vërteta dhe të paprekura më parë.
/rtsh.al/