E Martë, 3 Nëntor 2026

Stilisti legjendar i modës shuhet në moshën 83-vjeçare

Stilisti legjendar i modës, Roberto Cavalli ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.

Legjenda e botës së modës vdiq në shtëpinë e tij në Firence pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje, shkruajnë mediat italiane.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur të afërmit e tij, të cilët thanë se shëndeti i stilistit të famshëm ishte përkeqësuar ditët e fundit, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Roberto  la pas gjashtë fëmijë, më i vogli është Giorgio, vetëm një vjeç . Në krah të tij në orët e fundit, ashtu si në dhjetë vitet e fundit, ishte edhe partnerja e tij, Sandra Nilsson .

Roberto Cavalli studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Gjyshi i tij ishte piktor i grupit Macchiaioli dhe prej tij trashëgoi pasionin për artin.

Italiani, pasuria e të cilit besohet se shkon në 400 milionë Euro, vjen nga një familje artistësh. Ai ka lindur më 15 Nëntor të vitit 1940 në Firence.

Cavalli solli në botë modën e lartë italiane

“Me dhimbje të thellë dhe keqardhje të sinqertë, mësoj për ndarjen nga jeta të Roberto Cavalli, një figurë e shquar që solli modën e lartë italiane në botë, duke e bërë Toskanën një pikë referimi të padiskutueshme në panoramën globale të modës. Roberto nuk ishte vetëm një inovator dhe një Artist pëlhure, por edhe simbol i krijimtarisë dhe mjeshtërisë që mundi të përziejë me guxim ngjyrat e tokës sonë me trendet ndërkombëtare”, tha presidenti i rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, shkruan Ansa.

Kush ishte Roberto Cavalli

Roberto Cavalli ishte themeluesi i shtëpisë së modës fiorentine me të njëjtin emër. Gjyshi i tij, Giuseppe Rossi, ishte i njohur për koleksionet e veprave të artit që i ekspozonte në Galerinë Uffizi në Firence. Babai i tij Giorgio u vra nga nazistët gjatë një përplasjeje në komunën Cavriglia në vitin 1944. Cavalli ka gjashtë fëmijë: Tommaso, Cristiana dhe Robert nga martesa e tij e parë, Rachele dhe Daniele nga martesa e tij e dytë.

Ndërsa, Giorgio lindi më 8 mars të vitit të kaluar dhe është fëmija i gjashtë që stilisti pati në moshën 82-vjeçare me partneren suedeze, Sandra Nilsson.

Humbja e Cavallit sigurisht që ka lënë një boshllëk të madh në fushën e modës, ndonëse ai e shiti kompaninë me të njëjtin emër në vitin 2015. Elementi dallues i markës së tij ishte printi animal, peliçet me qëndisje, fustanet e gjata me të çara të theksuara dhe shumë transparencë.

Krahas koleksioneve të veshjeve, Cavalli krijoi dhe linjën e dedikuar për të brendshmet e meshkujve e quajtur Just Cavalli. Ndërsa, në vitin 2012, krijoi edhe sektorin e dedikuar për arredimin dhe shtëpitë me emrin Cavalli Home.

/vizionplus.tv/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›