Stina e verës dhe rritja e temperaturave, Dekani Sulaj apel qytetarëve: Kujdes nga mishi, veza, qumështi e peshku

Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë ushqimore, Kapllan Sulaj u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes me ushqimet e kontaminuara. Sulaj u shpreh se mishi, qumështi, veza dhe peshku janë disa nga produktet me të cilat konsumatori duhet të tregohet i kujdesshëm, teksa ka dhënë dhe disa këshilla edhe në mënyrën e ruajtjes së tyre.
“Stina e verës shoqërohet me temperatura të larta, çka shoqërohet dhe me sëmundjet ushqimore. Ka një grup ushqimesh që janë të rrezikshme, sikurse janë: ushqimet me origjinë shtazore që mbartin rreziqe të shtuara për shkak të natyrës së produktit dhe kushteve të pasigurta të mbajtjes së tyre. Këto sjellin më pas sëmundjet ushqimore që janë të gjera në koncept por ato që shkaktohen nga patogjenët bakterialë janë më të shpeshtë në verë.
Në këtë stinë janë më të përhapura bakteret, mikrobet. Mishi , qumështi, vezët, peshku janë disa nga produktet më të rrezikshme. Mishi është një nga ushqimet që kontaminohet më shpejtë”, tha Sulaj.
Sipas Sulajt, qumështi shitet në kushte ambulatore dhe fakti që konsumatori e zjenë, nuk nënkupton siguri të tij. Po ashtu, edhe ekspozimi i mishit e peshkut në ambiente të pasigurta rrezikon konsumatorin.
“Ka raste kur qumështi shitet në kushte ambulante, dhe nënkupton se mund të shfaqin rrezik te konsumatori. Por ka një mendim te konsumatori, se ky produkt zjehet dhe është i sigurt. Por ka raste ku produkti zjehet dhe shkakton toksina.
Mishin e gjejmë të varur shpeshherë në rrugë për tu ekspozuar dhe shitur. Trupi i kafshës që rri në ambient të hapur, kontaminohet më shpejtë.
Po ashtu dhe peshku, peshku prishet shumë shpejt dhe duhet të ruhet në kushte ngrirje ose në akull”, tha Sulaj teksa u kërkoi qytetarëve që të tregohen të vëmendshëm te përzgjedhja e produkteve. Sipas dekanit, konsumatorët të kujdesen që produkti të jetë ruajtur në kushte të përshtatshme dhe në temperaturat e duhura.
“Tregohuni të kujdesshëm që të zjerja e produktit, sigurohuni që produkti është ruajtur në kushte të përshtatshme, janë të ambalazhuara mirë, dhe më pas që nga paketimi, ruajtja, transportimi drejt shtëpisë dhe më pas në ruajtjen e ftohjes dhe ngrirjes së ushqimit në shtëpi”, tha ai.
/rtsh.al/