E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stoku i dosjeve në Gjyqësor, KLGJ me “sy” nga ndërmjetësimi. Në 2027 ndryshon Kodi Penal

Gati 150 mijë dosje janë ende të pashqyrtuara në gjykatat e vendit. Përveç punës së magjistratëve Këshilli i Lartë Gjyqësor duket se po shpreson edhe te Ndërmjetësit për zgjidhjen e çështjeve me ndërmjetësim.

“Nëse gjithë kjo Reformë në Drejtësi u bë për dy qëllime të caktuara, për të forcuar dhe rritur integritetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve mos e konsideroni se me këtë numër të madh çështjes, ne do të kemi më shumë punë për veten tonë, por konsiderojeni si një mision. Do ta shtoni edhe më tepër veprimin tuaj që çdo çështje të një qytetari ta konsideroni sikur është e juaja për ta zgjidhur sa më drejt dhe sa më shpejt”, tha kreu i KLSH-së, Ilir Rusi.

Përveç kësaj, pritet që deri në vitit 2027-të, ligjvënësit të ndërhyjnë edhe për ndryshime ligjore.

“Në vitin 2027-të mendohet të bëhen disa ndryshime, jo vetëm në ligjin e ndërmjetësimit, por në Kodin e procedurës Civile, Kodin Penal dhe në shumë ligje të tjera, sikurse ligji Gjendjes Civile apo i Kadastrës.  Të ndërthuren të gjithë këto ligje për të pasur një zgjidhje sa më të shpejtë në raste konfliktesh”, u shpreh Drita Avdyli, Kryetar e Dhomës Kombëtare Ndërmjetësimit.

Këto deklarata u bënë gjatë një tryeze të rrumbullakët të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku u diskutua për Sfidat e Sistemit të Drejtësisë dhe Zgjidhjet Alternative.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›