Stoltenberg paralajmëron ‘pasoja të rënda’ për Rusinë nëse përdor armë bërthamore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar për “pasoja të rënda për Rusinë” nëse Vladimir Putin do të përdorte armë bërthamore në Ukrainë, mes retorikës së përshkallëzuar nga Moska dhe aleatët e saj.
“Retorika bërthamore është e rrezikshme. Është e pamatur. Çdo përdorim i armëve bërthamore do të ndryshonte natyrën e konfliktit në Ukrainë. Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Dhe ky është një mesazh që NATO dhe aleatët e NATO-s ia përcjellin qartë Rusisë”, tha Stoltenberg.
Vërejtjet e Stoltenberg pasojnë disa nga retorikat kërcënuese të Putinit deri më tani mbi gatishmërinë e Moskës për të përdorur forcën bërthamore.
Udhëheqësit perëndimorë dhe zyrtarët e qeverisë besojnë se ky kërcënim është rritur që nga e premtja, kur Putini aneksoi zyrtarisht pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore dhe e shpalli atë territor rus.
Armët bërthamore taktike zakonisht kanë një të dhjetën e potencialit shpërthyes të armëve bërthamore tradicionale dhe synojnë të kapërcejnë forcat konvencionale në një fushë beteje. Rusia ka rreth 2000 armë, të cilat mund të shpërndahen si koka luftarake në raketa konvencionale si Iskander që ajo ka vendosur tashmë në Ukrainë, por edhe nga forcat tokësore, avionët luftarakë ose anijet luftarake detare.
/rtsh.al/