Strasburgu rrëzon sërish vetingun: Shkarkimi i prokurorit Adnand Kosova, joporpocional

U shkarkuan nga Vettingu, njëri prej tyre u dënua edhe me burg, por prokurori Adnand Kosova dhe gjyqtari Luan Daci kanë fituar çështjet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Strasburgu i ka dhënë të drejtë ish-prokurorit Adnand Kosova, duke vlerësuar se shkarkimi i tij nga detyra ishte joproporcional dhe se autoritetet shqiptare nuk dhanë arsye bindëse dhe të mjaftueshme për shkarkimin e tij.
Për më shumë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton respektimin e jetës private. Kosova, i cili karrierën si prokuror e ka nisur në vitin 1986, u konfirmua fillimisht në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2018. Por vendimi u apelua pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Në mars të vitit 2020, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij, me argumentin se Kosova nuk kishte provuar me dokumente marrjen e shumës prej 1.5 milionë lekësh, për të cilën Kosova kishte deklaruar se ishte dhënë si paradhënie në vitin 1998 për një apartament në Korçë dhe më pas ishte përdorur për financimin e banesës së tij në Tiranë.
Por Strasburgu vlerësoi se qasja e autoriteteve shqiptare kishte qenë tepër formale dhe se nuk ishin marrë në konsideratë në tërësi provat e tjera.
Shteti shqiptar duhet t’i paguajë Adnand Kosovës 6 mijë euro për dëm jomaterial dhe 5 mijë euro për kostot e procedurës. Ndërsa, nëse Kosova e kërkon, Gjykata e konsideron të përshtatshme rihapjen e procedurave të Vettingut dhe rishqyrtimin e çështjes në përputhje me vendimin e Strasburgut. Në këtë rast, rihapet mundësia që ai të rikthehet në detyrë, përmes shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, për Luan Dacin, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 7 të Konventës. Gjykatat shqiptare e dënuan me 6 muaj burg për një mosdeklarim të një shkarkimi nga puna.
Por Strasburgu vlerësoi se interpretimi i ligjit penal nga gjykatat shqiptare ishte i zgjeruar dhe i paparashikueshëm për Dacin. Këto janë dy rastet më të fundit kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg kthen pas vendimet e procesit tashmë të diskutueshëm të Vettingut. Më herët, 6 prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vettingu kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.