E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e Edi Ramës për kulturën, vjedhje ikonash dhe tendera fasadash

14-03-2013 / Gazeta 55

Palo-programi socialist për kulturën buron nga hajdutëria e ngritur në sistem, e cila zë fill bash me zhvatjen e kulturës. Trashëgimia prej hajni e Edi Ramës nisi në Ministrinë e Kulturës, me denoncimet e pasardhëseve Arta Dade e Esmeralda Uruçi, si dhe me kujtesën e Nanos, se Edi Rama tregtonte në Paris ikona të vjedhura. Kjo trashëgimi hajdutërie, e pasuruar me 11 vjet shpërdorime në bashkinë e Tiranës, synon të shndërrohet tani në platformë për shkatërrimin e krejt kulturës shqiptare 



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka prezantuar programin e “Rilindjes” në Durrës, duke u shprehur se vota për 23 qershorin është një votë për të ndalur barbarinë që po i bëhet mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. Mirëpo duhet të jesh jashtëtokësor për të moskuptuar kontradiktat e forta të Edi Ramës me mjedisin e kulturës. 


Edi Rama dhe kultura janë si dy pole magnetike me vlera të kundërta që shtyhen sa herë afrohen. Karriera politike e Edi Ramës ka filluar me postin e ministrit të Kulturës, Turizmi, Rinisë dhe Sporteve, në vitin 1998. Ministri Edi Rama erdhi në këtë post me “thonj të paprerë”, sipas një përkufizimi të Fatos Nanos, dhe e la detyrën me duart të pista. 


Kuptohet vetiu, Ai do të mbahet mend në këtë dikaster jo vetëm për projektin e prishjes së teatrit Kombëtar, por edhe për nisjen e lyerjes së fasadave të pallateve të kryeqytetit pa një projekt, për të cilën asnjëherë nuk u dhanë shpjegime për faturën reale të kostos së bojës dhe llaçit që është përdorur.


 Akuzat për këtë aferë dolën shpejt dhe jo nga kundërshtarët politikë të PD. Në revistën “Spektër” të datës 21 mars 2003, u botua një intervistë e ish-ministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi, e cila akuzonte paraardhësin socialist Edi Rama për abuzime me projektin e lyerjes së Fasadave. Në faqen 19 të revistës “Spektër”,  ish-ministrja Uruçi shprehet: “Isha mësuar të punoja drejt tërë jetën time. Shumë vështirë e kam patur kur ngrija probleme delikate, duke e ditur se prekja edhe interesat e njerëzve me rëndësi në jetën politike të vendit. Në këtë rast, populli i Shkodrës thotë: ‘Me padit birin te i jati’ (lexo: Me padit Ramën te Nano). Ngritja nga ana ime e problemeve të lidhura me fasadat e ministrive, mbyllja e ‘Rubairave, Expo ‘Hanover’, ndjekja e kontratave lidhur me tjetërsimet e ambienteve të dhëna me qera për një dollar metri katror, notat verbale për vizat jashtë shtetit, që përgatiteshin në MKRS, kishin prekur një lob të fuqishëm politik e ekonomik me ndikime në vendim-marrjen e atyre që drejtonin shtetin në atë periudhë”.  


Kjo ishte ish-ministrja socialiste e MTKRS, Esmeralda Uruçi, e cila nuk është e vetmja socialiste që ka akuzuar kreun e sotëm të PS për vjedhje. 


Edhe ish-kryetari i PS Fatos Nano ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Edi Ramës për përvetësim të ikonave të Akademisë së Arteve të Bukura kur ishte profesor dhe që më pas për të mbijetuar në Francë i shiste me gjysmë çmimi. Këtë fakt Edi Rama e përmendje edhe në librin e tij, “Kurban”, ku  Fatos Nano gjatë KPD-së, ku u tha çfarë kishte bardhaku, “qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur (Fatosi) u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonj pa prerë, që merresha me kontrabandë ikonash”.  


Trashëgimia e Edi Ramës në Ministrinë e Kulturës nuk e përligj moralisht “rilindjen e kulturës”, pasi rrjedhimisht do të ishte konfirmim  publik i denoncimeve të pasardhëseve në dikasterin e kulturës, Arta Dade e Esmeralda Uruçi, si dhe me kujtesën e Nanos, se Edi Rama tregtonte në Paris ikona të vjedhura. Sidoqoftë kjo trashëgimi jashtëligjore, e pasuruar me 11 vjet shpërdorime në bashkinë e Tiranës synon të shndërrohet kësisoj në platformë për shkatërrimin e krejt kulturës shqiptare. 


...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›