Strategjia e re e Trump: Marrëveshje direkte me Groenlandën, duke anashkaluar Danimarkën

Administrata e Presidentit Donald Trump po harton një plan të ri për Groenlandën. Sipas një raporti të The Economist, SHBA-të nuk po synojnë më thjesht blerjen apo aneksimin e ishullit, por një marrëveshje bashkëpunimi direkt me autoritetet lokale në Nuuk (kryeqyteti i Grenlandës), duke nxjerrë jashtë loje Danimarkën.
Çfarë është “Traktati i Shoqërimit të Lirë”?
Uashingtoni po diskuton mundësinë e një pakti të quajtur “Traktat i Shoqërimit të Lirë”. Ky është një model që SHBA-të e aplikojnë tashmë me disa shtete të vogla në Paqësor, si Mikronezia, Ishujt Marshall dhe Palau.
Sipas kësaj marrëveshjeje vendi (në këtë rast Groenlanda) gëzon pavarësi dhe autonomi të plotë për punët e brendshme. Megjithatë SHBA-të marrin përsipër mbrojtjen dhe sigurinë ushtarake të vendit.Sa i përket ndihmës financiare, Uashingtoni ofron mbështetje të madhe ekonomike në këmbim të përdorimit strategjik të bazave ushtarake.
Dy qëllimet e Trump
Kjo lëvizje e re diplomatike ka dy synime kryesore:
Të rrisë mosmarrëveshjet mes Danimarkës dhe Grenlandës, duke ushqyer dëshirën e grenlandezëve për t’u shkëputur përfundimisht nga Kopenhaga.
Të nisë negociatat drejtpërdrejt me autoritetet lokale të ishullit, pa pasur nevojë për lejen apo ndërmjetësimin e qeverisë daneze.
Kjo strategji tregon se SHBA-të po kërkojnë me ngulm kontrollin strategjik të Arktikut, duke përdorur fuqinë ekonomike si “karrem” për të joshur Groenlandën drejt një aleance të re.