E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e zgjerimit bëhet zyrtare/ Marta Kos: Kufizim të vetos në proceset e ndërmjetme

Komisioni Europian propozon zyrtarisht strategjinë e re të zgjerimit të BE. Me një komunikatë të miratuar nga Kolegji i Komisionerëve të KE, komisionerja për zgjerimin, Marta Kos prezantoi 5 shtyllat e reja të zgjerimit, duke filluar me kufizimin e vetos së vendeve anëtare sidomos në procesin e negociatave.

“Është e mundur të reduktojmë numrin e fushave ku një vend anëtar i vetëm mund të vendosë veto ndaj vendimeve që të gjithë të tjerët i mbështesin. Kalimi nga unanimiteti tek shumica e kualifikuar. Propozimi vlen për sanksionet, luftën kundër mashtrimit fiskal dhe hapat e ndërmjetëm të procesit të anëtarësimit, mes hapjes dhe mbylljes së negociatave”, pohoi komisionerja.

Dhe strategjia e re e KE, rreshton Shqipërinë në 4 vendet favorite për tu anëtarësuar në BE, për të cilat në fund të tetorit do të ketë nga një udhërrëfyes individual me data fikse si dhe kur do të mbyllin negociatat. Shqipëria pret konfirmimin e fundit të 2027 për mbylljen e negociatave.

“Në fund të tetorit, në rast se marrim pëlqimin për këtë propozim, do të kemi udhërrëfyes individuale, për 4 vende kandidate favorite. Ne kemi identifikuar katër vende në krye: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Ato do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Do të përmbajnë afate orientuese dhe objektiva të qarta. Dua të jem e qartë, integrimi bazohet mbi merita individuale dhe për secilin do të ketë udhërrëfyes të ndryshëm”, theksoi Kos.

Por deri në anëtarësim të plotë, KE ka propozuar integrimin gradual, që shoqërohet edhe me masa mbrojtëse. Integrimi gradual, ndihmon vendet kandidate të përparojnë më shpejt, ndërsa për ato që bëjnë hapa pas, do të ketë ndëshkime.

“Ne nuk duam një anëtarësim me dy nivele. Propozojmë integrim gradual, që nuk do të thotë zëvendësim të anëtarësimit. Të gjitha shtetet anëtare do të gëzojnë të drejta të barabarta. Edhe të sapoardhurit. Integrimi gradual do të varet nga reformat dhe përafrimi strategjik dhe do të mund të tërhiqet nëse kushtet nuk respektohen. Por ne propozojmë edhe masa mbrojtëse. Në raste kur shohim se vendi bën kthim pas, sidomos në kërkojmë ndërprerjen e mbështetjes financiare ose kufizimin e të drejtave të votës në raste të tilla”, u shpreh ajo.

Por ndërsa për vendet anëtare kufizimi i vetos do të jetë detyrim, nuk do të ketë kufizim veto për vendet kandidate. Sipas propozimit të KE, do të jetë vetëm vullnetarisht.

“Ne po propozojmë që anëtarët e rinj, vullnetarisht, të bëjnë një deklaratë speciale, kjo s’do jetë pjesë e traktatit të anëtarësimit, por duhet të zotohen që nuk do të përdorin veton. Është ajo që propozojmë, por do të mundohemi të arrijmë dakordësi me secilin vend nëpërmjet një deklarate për këtë”, tha ajo.

Propozimi i KE, duhet të kalojë pas dy javësh në Këshillin e BE për të marrë pëlqimin e të 27 vendeve anëtare, dhe më pas të rikthehet në Kolegjin e Komisionerëve për të marrë miratimin final.

Por Shqipëria tashmë mund të niset drejt Brukselit, në kilometrin e saj të fundit, e frymëzuar, pasi jo vetëm rruga bëhet e hapur, pa pengesa, por tashmë mund të shpresojë për tu ulur shpejt si i barabarte në familjen europiane

/abcnews.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›