E Diel, 1 Nëntor 2026

Ström: Taksa e pronës e drejtë dhe transparente rrit besimin e qytetarëve tek institucionet

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström deklaroi sot se Shqipëria ka arritur një moment të rëndësishëm në procesin e reformimit të taksës së pronës, duke ngritur një bazë të fortë për funksionimin e një sistemi modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të reformës së taksës dhe pasurive të paluajtshme, ai theksoi se Suedia është krenare që e ka shoqëruar Shqipërinë në këtë udhëtim transformues që prej vitit 2015.

Ström nënvizoi se arritja e vetëqeverisjes vendore dhe autonomisë fiskale është një kërkesë e qartë nga Bashkimi Europian, ndërsa reforma e taksës së pronës e bazuar në vlerën e tregut është një hap thelbësor për të garantuar të ardhura të qëndrueshme për njësitë e qeverisjes vendore.

“BE dhe partnerët ndërkombëtarë, si Banka Botërore dhe FMN, na kanë këshilluar se një implementim i duhur i sistemit të taksës së pronës me vlerën e tregut është baza për të ardhura të qëndrueshme dhe për autonomi të vërtetë fiskale”, u shpreh ambasadori.

Ai theksoi se objektivi kryesor nuk është vetëm rritja e të ardhurave, por ndërtimi i një takse të drejtë, transparente dhe të zbatueshme në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas tij, këto cilësi e bëjnë taksën legjitime në sytë e publikut dhe rrisin besimin e qytetarëve te institucionet, duke e çuar Shqipërinë më pranë standardeve të BE-së.

Ström vuri në dukje se reforma ka sjellë ndryshime të thella në platformat teknologjike, rolet institucionale, mënyrën e punës së administratës dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Ai përmendi se progresi i Shqipërisë është ndikuar nga tërmeti, pandemia dhe luhatjet globale ekonomike, por pavarësisht këtyre sfidave, partneriteti me vendet mbështetëse ka arritur t’i tejkalojë vështirësitë.

“Të gjitha ndryshimet e ndërmarra kanë sjellë krijimin e reformës së taksës së pasurisë. Sot, Shqipëria ka një bazë të fortë për një sistem modern të taksës së pronës: rregullat e duhura janë hartuar, kadastra fiskale është pothuajse e plotësuar, sistemi IT është përshtatur sipas kornizës ligjore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pronës është përgatitur të mbështesë të gjitha njësitë në nivel kombëtar”, deklaroi ai.

Prezantimi i reformës së taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri është një nismë e rëndësishme, që po krijon një sistem modern të taksës së pronës në vendin tonë, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, dhe do të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e kësaj takse të rëndësishme, reformë që e sjell Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›