Struci i politikës shqiptare

Qorrsokaku i Edi Ramës dje ka regjistruar një rekord të ri. Pasi kishte një javë që klithte se s’do pranonte asnjë negociatë për Fierin, veç dorëzimin e qarkut pa kushte, dje ai përdhunoi politikisht gjithë grupin parlamentar dhe shkroi letrën e strucit, duke u përpjekur të paraqitet jo si përgjegjës i bllokimit të statusit. Tërheqjet e minutës së fundit s’e shmangin dot realitetin si drita e diellit, se Edi Rama po bën çmos ta vonojë marrjen e statusit, pa mbajtur asnjë përgjegjësi, as para anëtarësisë socialiste, e as para faktorit ndërkombëtar. Letra e djeshme vërtetoi se një struc politik s’e ka seriozisht alternativën e marrjes së pushtetit
Edi Rama ka hyrë në një rrugë qorre prej së cilës s’po di të dalë. Dy ditë më parë kreu i Partisë Socialiste në përgjigje të ofertës politike të kryeministrit Berisha që të procedohen me mocion për kreun e Këshillit të Qarkut të Fierit deklaroi se çështja e qarkut të Fierit nuk është një çështje politike por një çështje e zbatimit të vendimit të gjykatave. Ndërsa dje në një tentativë për të bërë “indietro” nga një rrugë pa dalje kërkoi zhvillimin e një tryezë politike për zgjidhjen e çështjes së Fierit dhe jo për të proceduar me votimin e tre ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. Pavarësisht se nuk është kundër dy ligjeve dhe rregullore së parlamentit, kryetari i Partisë Socialiste po bën kurban aspiratën legjitime të qytetarëve shqiptarë për t’u afruar sa më shumë e më shpejt me Evropën - me karrigen e Vangjel Ndrekos, këtij personazhi të dalë nga xhepi i Gramoz Ruçit.
Megjithatë sjellja e konfuze e shefit të opozitës kundrejt procesit të integrimit dëften për mungesën e shtyllës kurrizore për të mbajtur përgjegjësi të mëdha. Në Mesjetë një libër që lexohej me kureshtje të madhe ishte i ashtuquajturi “Bestiarum”, një tekst që përshkruante kafshët me shpjegime morale me referencë speciet e përshkruara në Bibël. Për shembull, Krishti asocohet me Luanit, si një interpretim simbolik të mbreti fisnik të kafshëve. Ndërsa në urgjencën e politikës së sotme, kafsha me vetitë morale të përafërta me sjelljen politike të shefit të opozitës Edi Rama do të ishte Struci, pasi me futjen e kokës në dhe’ dëshmon për papërgjegjshmërinë publike. Dhe sado të fshehë kokën në rërën e refuzimeve Edi Rama do të shfaqet bojkoti i tre ligjeve dhe për këtë nuk ekziston me toleranca si nga brenda PS-së ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Partia Socialiste duhet të bëjë detyrën e saj kushtetuese dhe në respekt të votës së elektoratit të vet duke bashkëpunuar një orë e më parë atje ku e ka vendin demokracia e vërtetë. Në parlamentet, duke votuar tre reformat integruese që japin dritën jeshile të marrjes së statusit të vendit kandidat. Sigurisht retorika e kushtit të Fierit është sa qesharake aq edhe fashiste. PS-ja duhet të marrë seriozisht procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Përndryshe rrezikon të identifikohen me një parti ekstremiste euroskeptike si “Syriza” në Greqi apo “Socialisti Ecologici” të Niki Ventolës në Itali. Në Partinë Socialiste zëri i arsyes së deputetit Arben Malaj duhet të dëgjohet sepse është një zë, që në PS, ka 22 vjet dhe jo 7 vjet si Edi Rama, që socialist u bë kur mori kreun e Partisë Socialiste.
Dy ditë nuk janë pak për të reflektuar të vërtetën me votë. Dhe e vërteta do të jetë e mishëruar në seancën plenare të ditës së nesërme ku do të kuptojmë se cila parti është për integrimin dhe cila parti është për çintegrimin e shqiptarëve në Evropë.