E Diel, 1 Nëntor 2026

Strukturat akomoduese pritën 12,7% më shumë turistë të huaj në maj, kryesuan italianët

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Sektori i turizmit shënoi ecuri pozitive edhe gjatë muajit maj, me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në të gjithë vendin.

INSTAT konfirmon në të dhënat e publikuara sot se gjatë muajit maj, numri i vizitorëve që qëndruan në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 12,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje, sipas INSTAT, u mbështet si nga turistët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj. Numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 11,4%, ndërsa ai i vizitorëve jo-rezidentë shënoi një rritje edhe më të lartë, prej 12,7%, duke konfirmuar jo vetëm interesin për Shqipërinë si destinacion turistik, por po zgjedhin të qëndrojnë edhe për periudha më të gjata.

Edhe sa i përket net-qëndrimeve shifrat për majin rezultojnë pozitive ku numri total i netëve të kaluara në strukturat akomoduese u rrit me 8%. Net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 6%, ndërsa ato të vizitorëve jo-rezidentë me 8,6%.

Turistët italianë kryesojnë flukse e vizitorëve të huaj në vendin tonë ku 19% prej tyre ishin nga shteti fqinj. Pas Italisë, renditen vizitorët nga Kosova me 11%, Gjermania me 10%, vizitorët nga Franca me 9% si dhe nga Polonia me 6%. Pjesa tjetër, ose 45%, janë turistë nga vende të tjera.

Edhe treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve hoteliere kanë shënuar përmirësim. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 29,8% gjatë muajit maj, nga 28,7% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave, rajoni qendror kryeso për numrin e të akomoduarve në strukturat turistike me mbi 143 mijë, si vizitorë vendas ashtu edhe ata të huaj, rajoni jugor me mbi 121 mijë dhe rajoni verior me mbi 96 mijë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›