E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strukturë e re për shqiptarët në rajon, Hasani: Kemi mbështetjen e plotë të faktorit politik shqiptar

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka dhënë detaje të reja lidhur me ngritjen e strukturës së re për shqiptarët në rajon, pasi lajmi u bë publik në Konferencën e Ambasadorëve të zhvilluar në Tiranë. Hasani tha se kjo strukturë e re ka mbështetjen të gjithë aktorëve të faktorit shqiptar në rajon dhe se do të merret specifikisht me zgjidhjen e sfidave dhe çështjeve të të gjithë shqiptarëve në rajon.

“Është e rëndësishme që Tirana të këtë një fokus të vazhdueshëm për shqiptarët kudo që janë. Këtë e ka pasur që në ditët e saj më të vështira duke filluar me Kosovës në vitet 1990, me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe me radhë. Kombi amë është Shqipëria dhe për këtë janë të gjithë të qartë dhe kemi mbështetjen e plotë të gjithë aktorëve të faktori shqiptar në rajon. Kemi miratuar një strukturë të re të ministrisë së jashtme. Më thelbësorja është një drejtori që do të angazhohet me të gjithë shqiptarët në rajon. Kjo strukturë do merret me punët e të gjithë shqiptarëve dhe nevojave që ato kanë. Kjo strukturë do të ndihmojë duke zgjidhur sfidat që ato kanë”, tha Hasani.

Lidhur me mungesën e përfaqësimit politik të Kosovës në “Tirana Diplo 2024”, Hasani tha se kjo ndodhi për shkak të problemeve shëndetësore të të ftuarve dhe pushimeve, ndërsa shtoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer.

“Kosova ka qenë e ftuar por për fat të keq të një situate shëndetësore dhe pushimeve përfaqësimi nuk ishte ai që do dëshironim. Unë do takohem së shpejti me homologen Gërvalla për zgjidhjen e sfidave të shqiptarëve. Një nga temat që kemi rënë dakord është përfaqësimi i Shqipërisë dhe Kosovës në botë Ku Shqipëria do ketë ambasadën në Indonezi dhe Kosova në Malajzi së shpejti për të mbuluar sa më mirë këtë hapësirë me potencial të madh ekonomik”, tha Hasani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›