Studentë e të rinj në ditën e 17-të të protestës, mblidhen para Kryeministrisë

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Studentë, të rinj por edhe qytetarë u mblodhën sërish pasditen e së enjtes para godinës së Kryeministrisë, në ditën e 17-të të protestave kundër qeverisë dhe klasës politike në vend.
Tubimi u zhvillua pa tensione, ndërsa në të morën pjesë edhe pedagogë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Më herët gjatë ditës, protestuesit u mblodhën pranë Kuvendit ndërsa policia kishte rrethuar perimetrin me gardh metalik. Më pas marshimi vijoi drejt Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, ndërsa nuk u regjistruan akte dhune.
Prej 17 ditësh, studentë dhe qytetarë kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Protestat u karakterizuan nga akte dhune dhe përplasje me forcat e rendit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama u ka bërë studentëve ftesë të hapur për dialog.
Studentët kanë vijuar ta refuzojnë ftesën e përsëritur për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e tij nga detyra.
/m.m/a.f/r.e/