E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentë nga Harvard dhe MIT në Vlorë, dialog me institucione dhe qytetarë për ide e bashkëpunim

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Në ambientet e Muradie “Art-Galery” bar u zhvillua një takim i veçantë me pjesëmarrjen e 20 studentëve nga Harvard dhe MIT, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme si edukimi, ligji dhe qeverisja, biznesi dhe teknologjia e informacionit.

Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfaqësues të jetës akademike, qytetarë të spikatur dhe të rinj, duke krijuar një hapësirë të hapur dialogu dhe shkëmbimi idesh mbi zhvillimin, edukimin, inovacionin, qeverisjen dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve, institucioneve dhe aktorëve të jetës publike.

Ky aktivitet është pjesë e një vizite treditore në Vlorë dhe Himarë, gjatë së cilës grupi i studentëve do të zhvillojë një sërë takimesh me Universitetin e Vlorës, kryetarin e bashkise himare, përfaqësues të institucioneve, qytetarë dhe studentë. Turi 3 ditor do te shoqërohet gjithashtu me një përvojë të larmishme në natyrë, kulinari, histori dhe traditë, duke u dhënë studentëve mundësinë të njohin më nga afër potencialet kulturore, turistike dhe njerëzore të zonës.

Takimi në Vlorë shërbeu si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi mes studentëve të universiteteve më prestigjioze ndërkombëtare dhe komunitetit lokal, duke nxitur reflektim mbi rolin e të rinjve, dijes dhe bashkëpunimit në zhvillimin e shoqërisë.

Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e këtyre takimeve si një mënyrë për të sjellë përvoja të reja, perspektiva ndërkombëtare dhe ide konkrete që mund të ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes arsimit, institucioneve publike, biznesit dhe komunitetit.

Takimi u organizua me iniciativën e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht deputete e qarkut Vlorë, Erjona Ismaili, e cila theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të tilla bashkëbisedimi, sidomos për të rinjtë dhe për qytetet me potencial të madh zhvillimi si Vlora.

Ky aktivitet solli në vëmendje edhe një herë rëndësinë e hapjes së Vlorës dhe Himarës ndaj rrjeteve ndërkombëtare të dijes, inovacionit, kulturës dhe bashkëpunimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›