E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët kërkojnë “zanatet”/ Degët më të preferuara, mjekësi, teknologji informacioni

Prindërit e nxisnin të bëhej mjek, por Abidini kishte një tjetër pasion.
“Prindërit donin doktor, se bëj dot, nuk jam i interesuar për biologjinë”, thotë Abidini.

Megjithë dëshirën e prindërve, ky i ri nga Lushnja zgjodhi të aplikojë për teknologji informacioni dhe të hënën e këtij pesë tetori ka nisur vitin e parë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.
“Tani e ardhmja është tek shkencat kompjuterike dhe unë mendoj se mund të gjej një punë të mirë.”

Rreth 20 mijë të rinj ulen për herë të parë në auditore këtë vit akademik dhe gjithnjë e më tepër po orientohen drejt atyre programeve të studimit që iu mundësojnë punësim të sigurtë dhe të shpejtë.

Aida mendon se me t’u diplomuar për informatikë mund të punojë për kompani jashtë vendit pa iu dashur të emigrojë.
“Jo, e kam prirje. Kam mundësi të punoj si programuese edhe jashtë vendit duke qenë në Shqipëri.”

Ky i ri nga Lezha e kishte planifikuar degën që do të vijonte studimet e larta që në nisje të gjimnazit.
“Viti i parë për TIK, kam mbaruar gjimnazin për këtë, prandaj e zgjodha. Preferencë e parë. Gjen më shpejt punë, në Shqipëri dhe jashtë vendit.”

Inxhinieritë, teknologjia e informacionit janë ndër programet e pëlqyera nga të rinjtë dhe këtë vit akademik. Studentët të cilët kanë nisur rishtas universitetin nuk i druhen as zhvillimit që po merr inteligjenca artificiale.

Degët e shëndetit dhe ato të biznesit mbeten të preferuara, ndërsa ato të mësuesisë, fizikës, matematikës, bujqësisë kanë tërhequr më pak studentë dhe këtë vit. Por vendet e mbetura bosh në universitetet e Tiranës dhe rretheve janë një mundësi për të gjithë ata ish-maturantë që nuk fituan një vend deri tani. Megjithëse shkolla ka nisur, ata mund të aplikojnë pranë fakulteteve nga 8 tetori deri më 21 tetor. Auditoreve këtë vit akademik i kthehen afro 120 mijë studentë në të tre ciklet e studimit. Peshën më të madhe të pranimeve vijojnë ta mbajnë universitetet publike me rreth 70% të ish-maturantëve që i kanë zgjedhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›