E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi me 4.2 milionë persona, aktiviteti fizik ul rrezikun e demencës –

Shumica e aktiviteteve fizike ulin rrezikun e demencës (humbje e aftësive njohese), por puna e rëndë fizike mund ta rrisë atë. Një studim i realizuar nga Natan Feter, i Universitetit të Kalifornisë Jugore (USC) në Los Angeles, së bashku me një grup studiuesish, sugjeron se ndikimi i aktivitetit fizik në rrezikun e demencës varet edhe nga lloji i aktivitetit.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “The Lancet Public Health”, analizoi të dhënat e më shumë se 4.2 milionë personave, duke përfshirë 74 studime të zhvilluara nga viti 2021 deri në maj 2026.

Personat me nivele të larta të aktivitetit fizik kishin rreth 20% rrezik më të ulët për demencë gjatë një periudhe mesatare prej 10 vitesh, krahasuar me ata që ishin më pak aktivë.

Aktivitetet e kohës së lirë, si ecja, vrapi, noti, çiklizmi dhe sportet, u shoqëruan me një rrezik rreth 24% më të ulët për demencë.

Në të kundërt, aktiviteti i lartë fizik në punë u lidh me një rritje prej rreth 20% të rrezikut të demencës.

Studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se aktiviteti fizik në punë dëmton drejtpërdrejt trurin. Punët e rënda fizike shpesh shoqërohen me stres më të madh, ekspozim ndaj faktorëve të dëmshëm, më pak stimulim mendor dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit.

Ushtrimet në kohën e lirë, nga ana tjetër, mund të ndihmojnë edhe në uljen e stresit. Sportet në grup ofrojnë gjithashtu ndërveprim shoqëror dhe stimulim mendor, duke ndihmuar në reduktimin e izolimit social.

Gjatë periudhës së ndjekjes u regjistruan mbi 64 mijë raste të demencës, rreth 5,900 raste të Alzheimerit dhe mbi 1,600 raste të demencës vaskulare.

Nivelet e larta të aktivitetit fizik u lidhën gjithashtu me rreth 21% rrezik më të ulët për Alzheimer dhe 29% më të ulët për demencë vaskulare.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet tregojnë një lidhje statistikore dhe jo domosdoshmërisht një marrëdhënie shkak-pasojë. Shenjat e hershme të demencës mund t’i bëjnë njerëzit më pak aktivë vite përpara se sëmundja të diagnostikohet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›