Studiuesi Auron Tare sjell historinë e fshehur nën ujërat shqiptare: 2600 vite dëshmi arkeologjike

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Pasuria arkeologjike nënujore e Shqipërisë, vlerat e saj historike dhe shkencore, si dhe nevoja për njohjen, studimin dhe mbrojtjen e saj, ishin në qendër të një takimi të zhvilluar sot në Akademinë e Shkencave.
Historiani dhe studiuesi Auron Tare, anëtar i Bordit të Këshilltarëve Shkencorë dhe Teknikë në UNESCO për Trashëgiminë Kulturore Nënujore, prezantoi kumtesën me temë “Sfidat e arkeologjisë nënujore sot në Shqipëri”, duke sjellë një pasqyrë të kërkimeve dhe zbulimeve që dëshmojnë një histori rreth 2600-vjeçare të hapësirës detare shqiptare.
Takimi, i organizuar nga Komisioni i Përhershëm i Antropologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore (KPATK), u kthye në një hapësirë diskutimi mbi një pasuri që, sipas studiuesve, ende nuk është kuptuar dhe vlerësuar sa duhet në të gjitha dimensionet e saj historike, shkencore dhe turistike.
Në fjalën e hapjes, kryetari i KPATK, Artan Shkreli, tha se Komisioni synon të krijojë një komunikim më të gjerë me publikun dhe komunitetin shkencor, përfshirë studiuesit shqiptarë jashtë vendit, duke e shndërruar Akademinë e Shkencave në një pikë referimi për çështjet që lidhen me identitetin kulturor, social dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare.
Shkreli tha se, përveç veprimtarisë rutinë, Komisioni synon të hapë një fazë të re të punës shkencore dhe ta përcaktojë atë në një linjë të qartë, ku Akademia e Shkencave të shërbejë si autoritet dhe pikë referimi për çështje që lidhen me identitetin kulturor e social dhe mbrojtjen e pasurisë kombëtare.
Më pas, Auron Tare bëri një historik të arkeologjisë nënujore shqiptare dhe problematikave që e kanë shoqëruar atë ndër vite, duke u ndalur në një pjesë të kërkimeve dhe zbulimeve të kryera përgjatë bregdetit shqiptar, veçanërisht në zonat e skajit jugor të vendit.
Përmes materialeve të dokumentuara nga ekspeditat kërkimore, Tare solli një panoramë të rreth 2600 viteve të historisë nënujore të brigjeve shqiptare, nga periudha arkaike dhe klasike deri në historinë moderne.
Ai përmendi ndër të tjera Rodon Wreck, rreth shekullit V p.e.s., me amfora korintase të Tipit B, si dhe Qefalit Wreck, rreth shekullit IV p.e.s., me tjegulla dhe amfora që dëshmojnë qarkullimin e mallrave dhe lidhjet detare të kohës.
Rrëfimi vijoi me dëshmi nga periudha romake, bizantine dhe mesjetare, si dhe me gjurmë të historisë moderne. Në Porto Palermo është identifikuar një pjesë e sistemit mbrojtës të Otranto Barrage, ndërsa në Gjirin e Sarandës janë dokumentuar mbetje të anijes britanike HMS Volage, të lidhura me incidentin e Kanalit të Korfuzit.
Tare u ndal edhe te faza e rëndësishme e kërkimeve të viteve 2010–2017, kur eksplorimet u zgjeruan nga Porto Palermo drejt zonave qendrore dhe veriore të bregdetit shqiptar. Deri në vitin 2017, kërkimet dhe skanimet kishin mbuluar rreth një të tretën e brigjeve të Shqipërisë, duke evidentuar një hapësirë të gjerë që mbetet ende për t’u studiuar.
Në përmbyllje të kumtesës, Tare nënvizoi nevojën për një diskutim më të gjerë institucional dhe shoqëror mbi arkeologjinë nënujore, duke sjellë në vëmendje si potencialin e kërkimeve të mëtejshme, ashtu edhe problematikat që lidhen me dokumentimin, studimin dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie.
Arkeologu Neritan Ceka, shpesh pjesë e ekspeditave, vlerësoi organizimin e aktivitetit dhe rëndësinë e kumtesës së Tares, duke theksuar lidhjen e drejtpërdrejtë mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit.
“Nuk ka turizëm pa trashëgimi kulturore”, u shpreh Ceka, duke nënvizuar rëndësinë e njohjes dhe ruajtjes së pasurive historike e arkeologjike, si pjesë e identitetit dhe e vlerave që Shqipëria i përcjell edhe përmes turizmit.
1 nga 10/r.e/