Sula: Demokracia trashëgon detyrimin për të kërkuar të zhdukurit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kërkimi i personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste nuk është vetëm çështje e familjeve, por përgjegjësi që i takon shtetit demokratik.
Kështu u shpreh kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Gentiana Sula, në Baku (Azerbajxhan).
Në Konferencën IV Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, Sula solli në vëmendje historinë e mijëra qytetarëve të ekzekutuar, të vrarë pa gjyq, të vdekur në burgje e kampe pune apo gjatë përpjekjeve për arratisje, trupat e të cilëve nuk iu kthyen familjeve. Sipas saj, diktatura jo vetëm vrau qytetarët e saj, por në shumë raste u përpoq të fshihte edhe gjurmët e krimeve.
Një prej pengesave kryesore, sipas kreut të Autoritetit të Dosjeve, ka qenë heshtja e imponuar nga frika dhe stigma. Familjet e viktimave, të etiketuara si “armiq të popullit”, shpesh heshtën për të mbijetuar, ndërsa dëshmitarët u përballën me frikën e pasojave nëse flisnin.
“I njëjti shtet që fshehu trupat i dokumentoi vrasjet dhe më pas u përpoq të fshinte gjurmët e veta”, deklaroi ajo duke nënvizuar rëndësinë e arkivave në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Gentiana Sula prezantoi edhe punën e AIDSSH-së, ku Autoriteti ka marrë rreth 460 kërkesa dhe ka miratuar 23 vendime për verifikim, që lidhen me rreth 25 vendvarrime të dyshuara. Në gjashtë prej tyre janë kryer kërkime me metoda joinvazive, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me rezultate pozitive.
Sula nënvizoi se identifikimi i të zhdukurve kërkon bashkëpunimin e disa hallkave: dokumentet mund të dëshmojnë ekzekutimin, dëshmitarët mund të tregojnë vendndodhjen, metodat shkencore mund të identifikojnë varrin dhe ADN-ja mund t’i rikthejë një emër mbetjeve njerëzore.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Gentiana Sula dha mesazhin se “Demokracia trashëgon detyrimin për të kërkuar, sepse pas çdo dosjeje qëndron një njeri. Pas çdo mbetjeje njerëzore të paidentifikuar qëndron një emër. Dhe pas çdo zhdukjeje të pazgjidhur qëndron një familje që ende pret një përgjigje”.
1 nga 7/j.p/r.e/