Sula: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur Sky Ecc dhe Enchro Chat, lista t’i kalojë SPAK

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka kërkuar në Kuvend nisjen e diskutimeve për projektvendimin e depozituar nga kreu i grupit parlamentar demokrat për përdorimin e Sky Ecc dhe Enchro Chat nga deputetët.
Sula theksoi se lista e emrave do duhet t’i kalojë më pas SPAK-ut, pasi sikurse theksoi ai, asnjë deputet nuk është imun ndaj ligjit.
“Kryetari i grupit parlamentar të PD para 25 ditësh dorëzoi në zyrat e Kuvendit projektvendim për përdorimin e Sky-Enchro Chat, të telefonave të enkriptuar nga deputetët e Shqipërisë. Ky Parlament do duhej një sahat e më parë të kishin filluar procedurat që të bëhej e ditur nga deputetët e parlamentit ashtu siç ish-ministri i brendshëm i kërkoi policisë të deklaronte përdorimin e telefonave Sky-Enchro Chat.
Pse keni frikë ta bëni këtë projektvendim të jetë funksional?
Ju pse ju duhet të mazhorancës një telefon Sky Enchro Chat? Për ta përdorur për të folur me bandit kriminale? Kemi këtu në parlament, kryetar bashkie i kanë përdorur këto telefona për të vjedhur vota, për të caktuar kryetar bashkie. Përfundoni sa më shpejt këtë procedurë dhe të deklarojnë kush ka përdorur telefona Sky-Enchro Chat. Kjo listë duhet t’i kalojë SPAK. Nuk jemi ne imunë”, tha Sula.
/rtsh.al/