Sula: I gatshëm të votoj pro komisionit të posaçëm nëse nuk preket SPAK dhe GJKKO

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula u shpreh sot në një intervistë televizive se, është i gatshëm të japë votën e tij pro Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, nëse nuk preket SPAK dhe GJKKO.
Ai tha se që prej 2008-ës me ndryshimet kushtetuese ka filluar rrënimi i demokracisë hibride në vend e deri më sot.
“Argumenti i vetëm që thuhej atëherë ishte që ne do duhet të kemi ndryshime të forta kushtetuese, për një arsye të vetme që të mos na vijnë në kuvend kriminelët”, theksoi Sula.
“E turpshme që në shekullin e 21-të u desh të kishte në një vend të Evropës një ligj për të pastruar vetë parlamentin”, u shpreh Sula.
“Nëse nuk do të preken dy organe SPAK dhe GJKKO, unë jam i gatshëm që votën time ta vë në dispozicion të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh ai.
Sula shtoi se, “do të ishte shumë e ndershme që bashkë me projektrezolutën ne të dinim edhe objektin”, duke vënë në dukje se dje ka sfiduar edhe kryetarin e grupit parlamentar të PS dhe gjithë mazhorancën në lidhje me këtë.