Sulm i armatosur në një shtëpi të moshuarish në Kroaci, 6 të vdekur

Të paktën 6 persona kanë mbetur të vrarë dhe 7 të tjerë të plagosur gjatë një sulmi të armatosur në një shtëpi për të moshuarit në Kroaci. Një person i armatosur hyri në një shtëpi për të moshuarit në Kroacinë qendrore dhe hapi zjarr duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.
Pas sulmit me armë, autori u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pak minuta më vonë në një kafene të qytetit Daruvari.
“Ne jemi të tmerruar nga vrasja e pesë personave në Shtëpinë e të Moshuarve në Daruvar. Shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave dhe shpresojmë për shërimin e të plagosurve”, shkroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, në platformën X.
Policia tha se u informua pas orës 10 të mëngjesit për sulmin me armë në shtëpinë e të moshuarve. Sipas mediave kroate autori ishte një ish-luftëtar nga lufta 1991-95 në Kroaci dhe një i afërm i një prej banorëve të shtëpisë së të moshuarve.
Kryetari i komunës së Daruvarit, Damir Lnenicek u shpreh i tronditur nga vrasja.
“Cili është shkaku, shkaktari, është e vështirë të thuhet, që do të përcaktohet nga hetimi”, tha Lnenicek.
Autoritetet po hetojnë motivin e sulmit.
/rtsh.al/