Sulm i rëndë në Kiev në orët e para të mëngjesit / 3 viktima ,7 të plagosur

Një sulm ajror i forcave ruse me raketa dhe dronë ka shkaktuar viktima dhe dëme të shumta në Kiev dhe në rajonin përreth, në orët e para të mëngjesit. Sipas autoriteteve ukrainase, tre persona kanë humbur jetën, mes tyre një fëmijë, ndërsa të paktën shtatë të tjerë janë plagosur.
Administrata ushtarake e Kievit njoftoi se dy persona u vranë dhe katër të tjerë mbetën të plagosur në kryeqytet. Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se pas sulmit shpërthyen zjarre në disa banesa, një dyqan dhe një depo. Ndërkohë, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kievit, Timur Tkachenko, bëri të ditur se një fëmijë u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga sulmi me raketa dhe mjete ajrore pa pilot.Sipas tij, sulmi shkaktoi dëme edhe në banesa, infrastrukturë, depo dhe automjete.
Gazetarët raportuan se shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Kiev gjatë sulmit, ndërsa autoritetet ukrainase paralajmëruan banorët për rrezikun nga raketat dhe dronët.
Për shkak të sulmit, Rumania dhe Polonia, të dyja anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ngritën në ajër avionët e tyre luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendeve të tyre. Vendimi u konfirmua nga Ministritë e Mbrojtjes dhe forcat e armatosura të dy vendeve.
Autoritetet ruse nuk raportuan në informacionet fillestare për viktima nga sulmi.