Sulm ndaj SPAK? Rama: Ngrita një problem parimor, jo ushtrim presioni. Prokurori mund të çmendet por gjykatësi…

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy” me ndjekësit, foli për akuzat se i është kundërvënë SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Rama thotë se nuk konteston provat duke iu kundërvënë SPAK por thjesht ka ngritur një problem parimor duke kërkuar standarde demokratike.
Sipas tij, arrestimi i kryebashkiakut erdhi në një kohë kur ai është i dyshuar dhe jo i pandehur.
“Nuk jam unë që kontestoj ndonjë provë duke iu kundërvënë SPAK siç kanë vënë kujën të gjitha llojet e specieve por status i Erionit si i dyshuar dhe jo i pandehur është që konteston vetvetiu forcën e provave të pretenduara deri më tani. Në këtë pikë qëndrimi ynë nuk ndryshon. Deri tani në atë dosje nuk ka një paragraf të vetin, kam kërkuar vetë, kaq. Unë se kam parë dosjen por më jepni një paragraf nëse ka ku ka një provë që tregon që kryetari i bashkisë ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Siç psh kam parë të tilla dhe me shumë se një kur është dashur të votojmë ndonjë heqje imuniteti në kuvend për ti dhënë SPAK të drejtën e marrjes së një mase sigurie.
Pyetja e tretë është nëse iu duket normale, harrojeni politikën për një moment dhe të hyjmë pak në territorin e odës ku mblidhen të gjitha burrat, dhe pavarësisht se cfarë prirjesh kanë merren me një çështje për ti vënë pikën mbi i moralisht. Pra me ligj dhe zakon, a ju duket që një deputet apo ish deputet, por një kryetar bashkie në detyrë të merret nga zyra dhe të cohet në burg pa gjyq se prokuroria ka dyshime të pamjaftueshme për të ngritur një akuzë. Vjen pyetja tjetër si mund të quhet sulm ndaj SPAK që të ngresh një problem kaq parimor që ka të bëjë me kërkesën më legjitime në botë për një kryeministër, dhe për më tepër për mua si udhëheqësi i forcës që i ka dhënë jetë SPAK përmes reformës në drejtësi përballë të gjithë armiqësive të mundshme, duke vënë në tavolinë edhe ekzistencën e asaj qeverie duke thënë o votoni reformën ose rrëzoni qevrinë dhe të mos bëjë unë një kërkesë të tillë për standarte demokratike. Jo për të ushtruar presion mbi prokurorët dhe gjykatësit por për standartet.
Kryetari i bashkisë nuk është as i pandehur, thjesht një person i dyshuar. Kush do ta drejtojë Tiranën dhe kush do t’i bëjë punët. Kush? Apo gjykatësi. Ok, dikush njëherë ka thënë prokurori ka të drejtë edhe të cmendet por ama gjykata e mban peshën dhe ekuilibrin midis të gjitha palëve se në fund të fundit prokurori është njëri ekstrem. Në reformën në drejtësi kemi vendosur figurën e panjohur më parë të gjykatësit paraprak që shoqëron procesin bashkë me prokurorin siç bëhet në vendet demokratike. Jo që të bëhet mbi prokuror, gjykata është bërë stërspeciale që rrit peshën e dënimit paraprak pa gjykuar fare.“, u shpreh Rama./abcnews.al