Sulme ushtarake mes Izraelit dhe Sirisë, goditen grupet e mbështetura nga Irani dhe Hezbollahu

Izraeli ka kryer sulme ajrore ushtarake në provincën perëndimore të Sirisë, Homs.
Agjencia e lajmeve SANA, duke cituar burime ushtarake ka bërë të ditur se disa vende përreth qytetit të Homsit ishin shënjestruar nga Izraeli gjatë një sulmi ajror të ndodhur në orën 00:20 të mëngjesit të sotëm.
“Sistemet tona të mbrojtjes ajrore kapën me sukses raketat e armikut. Sulmi rezultoi vetëm dëme materiale” tha agjencia e lajmeve SANA.
Grupet e mbështetura nga Irani dhe Hezbollahu libanez janë vendosur përkrah forcave të regjimit në Homs.
Izraeli ka nisur sulme ajrore ndaj vendeve ushtarake të regjimit dhe grupeve të mbështetura nga Irani që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011.
Ushtria izraelite bëri të ditur se kishte pikasur një raketë kundërajrore të lëshuar nga Siria në drejtim të territorit të saj, transmeton TRT World.
“Raketa duket se ka shpërthyer në ajër” tha ushtria izraelite në një deklaratë. Ndërkohë, radioja ushtarake izraelite raportoi se fragmente të raketës që besohet se kanë shpërthyer në ajër, kanë rënë në qytetin jugor të Izraelit, Rahat.
/rtsh.al/