Sulmi, “dhimbje koke” për Sylvinho-n, Broja e Tuci jashtë, Manaj në dyshim, Uzuni ende larg formës më të mirë

11 ditë larg ndeshjes së parë kualifikuese të Botërorit kundër Anglisë në Uembli, Shqipëria duhet të shqetësohet për mungesën e alternativave në majë të sulmit. Ky është një shqetësim serioz për trajnerin Silvinjo, i cili në këtë moment ka të gatshëm vetëm dy lojtarë që mund të luajnë në qendër të repartit ofensiv, Daku dhe Uzuni, edhe ata jo në top formë. Armando Broja, i cili pas Europianit nuk ka luajtur më fare thuajse, do të mungojë edhe ndaj tre luanëve në mitikun Uembli. Aventura e tij tek Everton ka shkuar shumë keq me dëmtime të njëpasnjëshme dhe stafi mjekësor i Everton ka konfirmuar se Broja nuk është ende gati për minuta në fushë, ndonëse është kthyer në stërvitje. Indrit Tuci, që luajti në duelet e Ligës së Kombeve, gjithashtu ka probleme fizike.
Një problem tjetër që shton hallet e Silvinjos mban emrin Rey Manaj. Lushnjari humbi për pak çaste ndjenjat pas një përplasjeje të fortë kokë më kokë me një kundërshtar në duelin e Superligës turke mes Sivaspor dhe Gëztepe, që në fillim të sfidës, kur goditi traversën. Manaj u dërgua me urgjencë në spital, aty ku reagimet ishin inkurajuese mbi shëndetin e tij. Sulmuesi kuqezi madje i pyeti mjekët nëse mund të jetë që nga java e ardhshme në fushë me Sivaspor, edhe pse ai duhet të jetë nën monitorim dhe situata e Manaj duhet të vlerësohet me kujdes në lidhje me grumbullimin e mundshëm në kombëtare.
Në këto kushte, zgjidhja e detyruar në majë të sulmit është Mirlind Daku, i cili së fundmi në kampionatin rus shënoi dy gola me peshë në duelin e skuadrës së tij Rubin Kazan kundër Spartak Moske, por në fund humbi toruan kur u nxor jashtë me të kuq, duke tentuar të sulmojë gjyqtarin. Myrto Uzuni ka vetëm pak ditë që stërvitet me klubin e ri, Ostin, në SHBA, teksa vjen nga një kohë e gjatë pa stërvitje të rregullt dhe pa minuta në lojë.
Në këto kushte, zgjedhjet e Silvinjos ngushtohen shumë, përjashto surprizat e mundshme në listën përfundimtare. Anglia më 21 mars në Londër dhe Andora 3 ditë më vonë në Tiranë, po afrojnë, dhe kurioziteti për të kuptuar listën dhe alternativat e Silvinjos për këto dy ndeshje mbetet i madh, në kushtet kur dëmtimet janë të konsiderueshme.