E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi i dyfishtë në spitalin e Gazës ku u vranë edhe gazetarë, OKB kërkon hetim: Duhet të ketë drejtësi, s’kemi parë ende masa llogaridhënieje

OKB ka kërkuar drejtësi pas sulmit të dyfishtë të Izraelit në spitalin Nasser në Gaza, ku u vranë të paktën 20 persona, mes të cilëve 5 gazetarë e 4 punonjës shëndetësore.  Zëdhënësi i zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Thameen al-Kheetan e cilësoi sulmin si të papranueshëm, duke kërkuar hetim të menjëhershëm.

“Kjo është një tronditje dhe e papranueshme. Kjo ngre shumë, shumë pyetje në lidhje me shënjestrimin e gazetarëve dhe të gjitha këto incidente duhet të hetohen absolutisht dhe ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës.”, tha të martën Thameen al-Kheetan.

Duke folur për hetimet e kaluara izraelite për vdekjet në Gaza, ai shtoi: “Këto hetime duhet të japin rezultate. Duhet të ketë drejtësi. Ende nuk kemi parë rezultate apo masa llogaridhënieje.”

IDF e justifikoi sulmin duke thënë se kishte identifikuar një kamera të Hamasit të pozicionuar në zonën e spitalit, të cilën e përdorte “për të vëzhguar aktivitetin e trupave të IDF”.

“Trupat vepruan për të larguar kërcënimin duke goditur dhe çmontuar kamerën”, thuhej në deklaratë, duke shtuar se 6 nga të vrarët ishin terroristë.

Izraeli ka shënjestruar vazhdimisht spitalet në Gaza gjatë gjithë luftës, pavarësisht mbrojtjeve që ato marrin nga e drejta ndërkombëtare, duke thënë se objektet mjekësore po përdoren nga Hamasi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›