Sulmi në Banjskë/ Rama: BE-ja duhet të reagonte ashpër, të merren masa para se të jetë tepër vonë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Spanja, pak para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian, situatën në veri të Kosovës, dhe sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë më 24 shtator.
Në një deklaratë për media, Rama ka shprehur shqetësimin mbi këtë situatë dhe rrezikun potencial që sikurse tha ai, po rritet nga viti në vit.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se për herë të parë në 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk është linjëzuar me një deklaratë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se, zija kombëtare e Beogradit për të nderuar kriminelët që qëlluan ndaj Policisë së Kosovës, do ishte e mjaftueshme që BE-ja të reagonte ashpër dhe të thoshte se kjo është e ndëshkueshme. Po ashtu, ai theksoi se duhen marrë masa, para se të jetë tepër vonë.
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në dakordësi të plotë me BE dhe SHBA në raport me nevojën që autoritetet kosovare të ecin përpara dhe të jenë proaktive dhe konstruktive në dialog dhe nga këndvështrimi ynë të përfitojnë maksimalisht nga plani franko-gjerman që është absolutisht një hap mjaft i rëndësishëm përpara dhe një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë vetëm fakti që Republika e Serbisë e shpalli ditë zie kombëtare për të mbajtur zi për pjesëtarët e atij grupi kriminal paraushtarak që vrau policin, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Europian që të çohej dhe të thoshte kjo nuk është europiane. Kjo nuk është e pranueshme. Kjo nuk është drejtësi dhe është e ndëshkueshme“, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama ka folur edhe për integrimin e Shqipërisë në BE teksa theksoi Europa ka shumë probleme për të pasur një vendimmarrje kompakte dhe “për të pasur një të menduar e planifikim strategjik, është në gjendje të zgjerohet me 33, apo 35 apo 37 së shpejti”.
“Në vend të gjithçka apo asgjë për ne që nuk jemi anëtarë të BE-së duhet gjetur një qasje e re. Duhen gjetur alternativa të reja që duhen marrë në konsideratë dhe sigurisht kjo ndarje brenda duhet të bëhet më shumë ndëraktive. Për shembull, fryma e komunitetit politik europian duhet dhe mund të transpozohet brenda perimetrit të Bashkimit Europian pa dhënë domosdoshmërish anëtarësimin e plotë sepse kjo nuk do të ndodhë”, theksoi Rama.
/rtsh.al/