E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulmi në Ibër-Lepenc, Albin Kurti: Qëllimi ishte destabilizimi i Kosovës

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur sërish për sulmin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë. 

Kurti tha se i gjithë sulmi kishte për qëllim që Serbia ta paraqesë Kosovën si përgjegjëse, duke shtuar se Serbia ka gjeneruar qëllimisht tensione për të ruajtur pushtetin e brendshëm. 

“Sulmi në Ibër -Lepenc nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media në Kryeministri”, ka shkruar Kurti. 

Kurti thotë se regjimi i Aleksandar Vuçiç, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën duke tentuar të zhvendos krizën nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, duke futur Kosovën në kolaps energjetik dhe të krijonte pasiguri te qytetarët e komunave veriore. 

Më tej, Kurti thekson se sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi. 

Ky grafik dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm. Metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si një “doracak reference” për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. 

Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura para-shtetërore, përfshirë terroristin Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit të tij kriminal-terrorist, nënvizon Kurti. 

“Kosova u bën thirrje partnerëve të saj ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por të kuptohen si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, i cili rrezikon paqen e stabilitetin rajonal, rendin demokratik dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Përgjegjësia për këto veprime tashmë është sqaruar; nevojiten sa më shpejt hapa konkretë sanksionues, për të parandaluar përsëritjen e tyre”, përfundon kryeministri i Kosovë, Albin Kurti. 

Prokuroria Speciale e Kosovës më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviç, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit. 

Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia. Ibër-Lepenci furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës. 

Pas sulmit terrorist, ndërmarrja Ibër-Lepenc ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet. Ndërprerje të ujit ka pasur edhe në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në Ibër-Lepenc. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›