Sulmi në Kosovë/ Berisha: Skenari u përgatit nga Beogradi, u njoftua publikisht nga Kremlini

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për media në lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës, duke e dënuar atë dhe duke akuzuar Beogradin si shkaktare të aktit terrorist.
Sipas Berishës, kryengritja shënon fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri në Ballkan.
“Sulmi i djeshëm terrorist në Manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon. Për ne, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës. Kjo kryengritje siç do e quante sulmin terrorist vetë Vuçiq, shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri krahas atij të Ukrainës, në Ballkan për interesa të mirëfillta të ruso-madhisë dhe serbo-madhisë. Ky skenar u përgatit me kujdes në rrafshin politik dhe ushtarak nga Beogradi”, tha Berisha, teksa shtoi se Beogradi për realizimin e kryengritjes lokale, futi në Kosovë armatime të shumta duke i depozituar në kisha në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit nuanca fetare.
“Përveç këtyre, Beogradi për realizimin e kryengritjes lokale, futi në Kosovë armatime të shumta duke i depozituar ato edhe në kisha në përpjekje djallëzore për ti dhënë konfliktit nuanca fetare”, shtoi ish-kryeministri.
/rtsh.al/