E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, 2 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.

Agjencia e lajmeve dpa ka thënë se shoferi i makinës është arrestuar.

Burimet brenda sigurisë i kanë thënë kësaj agjencise se burri i arrestuar nuk ka qenë në radarin e institucioneve për zbatim të ligjit, dhe as nuk është njohur si islamist.

Sipas gjetjeve fillestare, burri dyshohet se është rreth moshës 50-vjeçare dhe është nga Arabia Saudite.

BREAKING: Car runs over people at Christmas market in Magdeburg, Germany. Reports of many victims pic.twitter.com/02lQBscdqq

— BNO News (@BNONews) December 20, 2024

Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.

“Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR.

“Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.

Dëshmitarët kanë thënë se makina është nisur qëllimshëm drejt turmës së njerëzve.

Shumë forca policore dhe shërbime të emergjencës janë parë në skenën e incidentit.

Tetë vjet më parë, më 19 dhjetor të vitit 2016, një pjesëtar i grupit terrorist, Shteti Islamik, pati kryer një sulm me kamion, duke e përplasur në një treg Krishtlindjesh në qendër të Berlinit.

Si pasojë e sulmit patën vdekur 12 persona, ndërsa janë plagosur mbi 70 të tjerë.

Sulmuesi pati ikur në Itali, ku ishte identifikuar dhe ishte vrarë nga policia.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›