Sulmi nga Gaza, kryeministri i Izraelit: Vendi është në luftë

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi është “në luftë” pas sulmit të befasishëm nga Hamasi të shtunën (7 tetor) herët në mëngjes.
“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion, as në raunde, në luftë. Këtë mëngjes Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Mblodha krerët e sistemit të sigurisë, para së gjithash porosita që të pastrohen vendbanimet nga terroristët që kishin depërtuar, ky operacion po kryhet në këto orë. Në të njëjtën kohë, urdhërova një mobilizim të gjerë rezervë dhe një luftë hakmarrëse me një forcë dhe shtrirje që armiku nuk e ka njohur kurrë. Armiku do të paguajë një çmim që nuk e ka njohur kurrë. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t’u binden me përpikëri udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të Komandës së Brendshme. Ne jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë”, tha Netanyahu në një video-mesazh.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se dhjetëra avionë luftarakë po godasin “një numër” objektivash” në Gaza që i përkasin Hamasit. Militantët e Hamasit hynë në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Grupi militant pretendoi se kishte lëshuar 5000 raketa në territorin izraelit. Të paktën 40 persona kanë vdekur dhe rreth 800 janë plagosur.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se trupat e saj po luftojnë në të paktën gjysmë duzinë vendesh. Sulmi i së shtunës vjen në 50-vjetorin e Luftës së vitit 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur , ditën më të shenjtë të kalendarit hebre./ CNN
/rtsh.al/