Sulmohet për së dyti Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir
Shkup- Është sulmuar për herë të dytë Muzeu i Alfabetit i gjuhës shqipe, në Manastir mbrëmjen e së shtunës.
Mësohet se një grup huliganësh, të paindentifikuar ende nga forcat e policisë, kanë qëlluar me gurë muzeun duke thyer xhamat e derës hyrëse të tij.
Ky është sulmi i dytë, për më pak se dy muaj, ndaj shtëpisë së alfabetit. Teksa historianët shqiptarë në Maqedoni thonë se, përmes këtyre akteve vandale, qarqe të caktuara po mundohen që të shlyejnë të gjitha elementet shqiptare në Manastir.
Ky akt nuk është punë e individëve ose grupeve, por është një sulm, i cili koordinohet prej një qendre dhe, në momente të caktuara, ai sulmohet për ti dhënë një mesazh presioni shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në mbarë trojet etnike shqiptare. Por, neve na shqetëson edhe komoditeti i qeverive, si në Maqedoni, Kosovë edhe në Shqipëri, që nuk e gjejnë të udhës as të reagojnë, apo të paraqesin një notë proteste ndaj një akti vandal, që ndodh në vazhdimësi ndaj Muzeut të alfabetit në Manastir, tha Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve shqiptarë në Maqedoni.
Në sulmin e para dy muajve, huliganët shkaktuan dëmë më të mëdha materiale, duke thyer xhamat e objektit, por edhe vitrinat brenda muzeut ku ndodheshin të ekspozuara dokumente historike për popullin shqiptar.
Autorët e këtij rasti ende nuk janë kapur nga policia teksa nuk dihet nëse autorë të këtij sulmi të dytë janë përsëri të parët.