Sulo: Noka tha i kam provat këtu në celular! Salianji: A i ka denoncuar?

Analisti Arion Sulo, i ftuar në emisionin Trialog me Alba Alishanin, ka komentuar situatën e brendshme politike në Partinë Demokratike.
Duke iu referuar një interviste të mëparshme me Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, ai tha se kur i kërkoi z. Noka të nxirrte provat për akuzat e tij, ky i fundit tregoi telefonin duke deklaruar se i kishte aty, në celular.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Ervin Salianji reagoi duke theksuar se Noka nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete.
“Çfarë të nxjerrë, imagjinatën e vet? Nuk ka prova.” – tha Salianji.
Ai shtoi se ndaj tij janë bërë akuza të pabazuara, sikur i shërben kryeministrit Rama, ministres Balluku apo grupeve të Elbasanit, por asnjëherë nuk është paraqitur një akuzë zyrtare për lidhje me krimin.
Salianji kujtoi se si drejtues politik në Elbasan ka shkuar me firmën e Sali Berishës, duke nënvizuar se “Nëse Berisha ka ditur lidhjet e mia me këto grupe dhe më ka çuar atje, atëherë ka pasur si qëllim të rrisë rezultatin zgjedhor.”
Ai hodhi poshtë çdo insinuatë për lidhje kriminale, duke thënë se nuk ka asnjë akuzë të tillë ndaj tij.
“Kanë thënë që i shërbej Ramës, i shërbej Ballukut, kanë thënë që po qëndroj me grupet e Elbasanit, pra ku është akuza?.Unë drejtues politik si në Elbasan kam shkuar me firmën e Sali Berishës, se ai ishte kryetar. Pse më çoi atje? Ndoshta ai i ka ditur lidhjet e mia me këto grupe. Se i bie nëse e ka ditur dhe më çoi atje, ka pasur si qëllim të rrisë rezultatet zgjedhore.”
Në vijim, Salianji kritikoi gjendjen aktuale të PD-së, duke e cilësuar si një parti personale.
“Unë, për shkak të moshës dhe mundësisë për të bërë një politikë tjetër, nuk e pranoj dot këtë logjikë. Nuk mund të jetë parti private. Unë punoj privat, pse duhet të jem në hapësirë publike?”
Ai shtoi se ndryshimet e Sali Berishës pas pezullimit nga drejtimi i PD-së kanë krijuar një situatë ku partia shihet si pronë personale, gjë që sipas tij është e papranueshme.
/rtsh.al/