Superliga, Skënderbeu konfirmon largimin e Gvozdenoviç

TIRANË, 1 Dhjetor /ATSH/ Ivan Gvozdenoviç nuk është më trajner i Skënderbeut. Klubi korçar ka konfirmuar largimin e teknikut serb pas më shumë se dy viteve në krye të ekipit, një periudhë që kulmoi me ngjitjen në Superligë dhe ruajtjen e statusit elitar sezonin e kaluar.
Gvozdenoviç, i cili mori drejtimin e bardhekuqve më 26 nëntor 2022, dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 ndaj Laçit, një rezultat që e shtyu të merrte vendimin për t’u larguar. Në një njoftim zyrtar, klubi e falënderoi trajnerin për kontributin e tij:
“Ivan Gvozdenoviç ka mbyllur bashkëpunimin me ekipin e Skënderbeut. Trajneri është përshëndetur me stafin dhe lojtarët. Skënderbeu e falënderon për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi.”
Gjatë kohës së tij në stolin e Skënderbeut, trajneri 46-vjeçar zhvilloi 74 ndeshje, duke regjistruar një mesatare prej 1.49 pikësh për ndeshje, dhe la gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit korçar.
Pas 15 javëve të këtij sezoni në Superligë, Skënderbeu mban vendin e parafundit me 13 pikë (tre fitore, katër barazime dhe tetë humbje), gjë që solli edhe largimin e Gvozdenoviç.
1 nga 3/a.f/.