Superliga, mbyllet pa fitues derbi Tirana – Dinamo

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Derbi mes Tiranës dhe Dinamo City-t është mbyllur sot në barazim 1-1. Sfida e parafundit e javës së nëntë u karakterizua nga tensionet, me gjyqtarin që nxori katër kartonë të kuq.
Ndeshja nisi me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rrjeta të paprekura. Megjithatë, para përfundimit të 45 minutave të para, pati tensione që sollën përjashtimin me karton të kuq të Oresti Rifës, trajnerit Ilir Daja dhe përgatitësit atletik Dodaj.
Në minutën e 64-t, bardheblutë zhbllokuan rezultatin me Redon Xhixhën. Por në minutën e 78-të erdhi reagimi i Dinamo City-t, që barazoi me Hoxhallarin, pavarësisht se luante me një lojtar më pak.
Në minutat e fundit, ekipi i drejtuar nga Dean Klafuriç goditi edhe shtyllën, por nuk arriti të shënonte golin e fitores. Ndërkohë, me karton të kuq u ndëshkua edhe mbrojtësi Basilio Ndong.
Barazimi penalizon të dyja skuadrat në garën për objektivat e tyre. Dinamo City, që renditet në vendin e tretë, humbet mundësinë për t’iu afruar kreut, ndërsa Tirana, në vendin e katërt, nuk arrin të shkurtojë diferencën me rivalen dhe të synojë ngjitjen në renditje.
Sfida e fundit e javës është ajo mes Egnatias dhe Teutës, që luhet në Rrogozhinë, në orën 18:30.
/r.e/