E Diel, 1 Nëntor 2026

Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018.

Ngjarja ndodhi gjatë seancës ku Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Gjykatësi Sabit Sadikaj bëri të ditur se vendimi për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” do të shpallet më 8 shtator. Në atë seancë, palët pritet të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese për të pandehurin.

Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm gjatë procesit gjyqësor. Në seancën e 2 shtatorit, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatore.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Sveçla akuzohet se gjatë një seance të jashtëzakonshme në sallën plenare të Kuvendit ka aktivizuar dhe hedhur disa herë një bombolë me gaz lotsjellës, pa paralajmëruar personat e pranishëm dhe pa u dhënë mundësi të largoheshin.

Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tij për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit.

Në të njëjtin rast akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Drita Millaku.

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës është përdorur disa herë nga deputetë për të kundërshtuar zhvillime dhe marrëveshje të ndryshme politike.

Në vitin 2015, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje përdorën gaz lotsjellës në sallën plenare në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë. Më vonë, deputetë të Aleancës dhe Nismës Socialdemokrate iu bashkuan protestave kundër marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Më 21 mars 2018, gjatë votimit të kësaj marrëveshjeje, në Kuvend pati sërish përdorim të gazit lotsjellës, si dhe tensione brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›