E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Sy m’Sy”, Rama: Pasaporta evropiane duhet për të fituar më në fund dinjitetin e qytetarit të barabartë evropian

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’Sy”, iu përgjigj të shtunën një ndjekësi në rrjetet sociale, i cili shkruante se shqiptarët po ikin në BE pa pasaporta dhe nuk iu duhet ajo e BE-së.

Sipas Ramës, pasaporta evropiane nuk duhet për të ikur se për të ikur iket edhe me këtë që kanë shqiptarët.

“Pasaporta evropiane duhet për të fituar më në fund dinjitetin e qytetarit të barabartë evropian, dinjitetin e udhëtarit evropian, që nuk e nxjerrin anash në çdo hyrje të BE-së, për ta pyetur me polic se ku po shkon. Dinjitetin e studentit evropian që kudo ku studion në Evropë, gëzon të drejta të barabarta me studentët që janë lindur dhe rritur në atë vend të Evropës. Dinjitetin e punëmarrësit evropian që kudo ku punon në Evropë gëzon të drejta të barabarta me punëmarrësin e lindur dhe rritur në atë vend të Evropës. Dinjitetin e njeriut të lirë, e njeriut të barabartë që gëzon çdo të drejtë evropiane dhe çdo mundësi të ofruar nga rrjeti i solidaritetit evropian. Pak janë këto”, komenton Rama.

Sipas tij, të përçmosh punën e tjetrit është kollaj, por nuk ndihmon të jetosh më mirë, përkundrazi. “Gjyshja ime thoshte “mllefi e keqja e të zot”. Ndërkohë që unë besoj se po të interesoheshe pak më shumë për BE-në dhe për impaktin e hyrjes në BE mbi vendet dhe mbi qytetarët e popujve që kanë hyrë para nesh në atë familje nuk do t’i bije kaq shkurt dhe as kaq së prapthi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se, edhe krijimi i kushteve më të favorshme për të rinjtë që të investojnë në Shqipëri, me hyrjen në BE bëhet më e lehtë sesa me qëndrimin jashtë BE-së.

“Kush e lidh ikjen e njerëzve me qeverisjen tonë, ose është kundërshtar dhe flet mbrapsht që të kapi ça të kapi, ose është shumë i keqkuptuar dhe flet pastaj dhe mbrapsht që të ndihet i mirëkuptuar. Këtë nuk e ndryshoj dot. Çka mund të ndryshoj dhe ndryshojmë është Shqipëria dhe këtë po e bëjmë. Po e bëjmë përditë, e përditë, e përditë. Prandaj Shqipëria sot nuk ka lidhje fare me atë që ishte. Me të meta, patjetër me të meta. Me gabime, s’ka asnjë dyshim. Ama me zemër dhe me përpjekje të pandalshme. Prandaj të ftoj të na bashkohesh dhe ti i dashur Kristi, pavarësisht pengesave që sheh përpara, pavarësisht nëse dikush ose disa mund të të prishin qejfin, për ta thënë kështu. Dhe të bashkohesh jo për mua, po për veten, për Shqipërinë në BE. Ndaj voto 5 Kristi pa u bërë pishman fare”, deklaron Rama.

Sipas tij, e vetmja gjë me vlerë që mund të bëj kushdo është që tek kutia e votimit më 11 maj të votoj për të dhe PS-në.

“Përtej të gjitha vërejtjeve, kritikave, mospëlqimeve që mund të kesh, sepse vetëm unë dhe PS, së bashku me ty dhe së bashku me shumicën e shqiptarëve mund ta bëjmë këtë kapërcim epokal historik për Shqipërinë dhe ta ulim në tryezën e përbashkët të familjes evropiane si e barabartë mes të barabartëve. Ëndërr e vjetër dhe amanet po kaq i vjetër”, mbyll komentin Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›