E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Ushtria iraniane hedh poshtë akuzat për sulme të reja ndaj EBA-s

TEHERAN, 6 maj /ATSH-DPA/- Ushtria iraniane hodhi poshtë sot akuzat e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) se Teherani kishte ndërmarrë sulme të reja kundër shtetit të Gjirit.

“Asnjë raketë apo dron nuk është lëshuar drejt objektivave në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë ditëve të fundit”, tha në një deklaratë, zëdhënësi i shtabit operacional të forcave të armatosura iraniane.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi ushtarak kërcënoi Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e akuzuar vendin se është kthyer në një “bazë për amerikanët dhe sionistët” dhe një “armik i botës islame”.

“Nëse do të ndërmerrej një sulm kundër Iranit nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe, autorët do të pendoheshin për këtë”, tha ai.

Ky reagim vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dje sulme të reja iraniane, për të dytën ditë radhazi.

Deklarata e zëdhënësit ushtarak, bie ndesh me komentet e forcave të armatosura iraniane të hënën, të cilat i përshkruan sulmet si një përgjigje ndaj nismës amerikane për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Sulmet e së hënës – të parat që nga hyrja në fuqi e armëpushimit midis SHBA-së dhe Iranit rreth katër javë më parë – shkaktuan një zjarr në një depo nafte në portin e Fuxhairah, në Gjirin e Omanit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi menjëherë duke kërcënuar se SHBA-ja do ta shkatërronte Iranin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›