E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Gallant dhe Pistorius diskutojnë konfliktin në Lindjen e Mesme

TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij gjerman, Boris Pistorius për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.

Pas telefonatës, Gallan tha se e kishte informuar Pistorius për zhvillimet e sigurisë dhe kërcënimet nga Irani dhe aleatët e tij kundër Izraelit dhe të gjithë rajonit.

Ai falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen ndaj Izraelit.

“Bota e lirë duhet të bashkohet kundër ngatërresës dhe eksportuesit më të madh të terrorit – Iranit”, tha Gallant, sipas zyrës së tij.

Radioja e ushtrisë izraelite raportoi se Gallant kishte folur me ministrat e Mbrojtjes të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Italisë ditët e fundit -si pjesë e një përpjekjeje për të rekrutuar sa më shumë partnerë për një koalicion ndërkombëtar që do të mbështeste Izraelin.

Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha sot në Berlin se bisedimet midis Gallant dhe Pistorius kishin të bënin me një vështrim të përgjithshëm të situatës.

Ushtria izraelite është aktualisht në gatishmëri të lartë. Vendi pret një sulm hakmarrës nga Irani dhe aleatët e tij në rajon.

Teherani ka shpallur “dënim të ashpër” për Izraelin pasi lideri politik i organizatës palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, u vra qëllimisht në kryeqytetin iranian, Teheran një javë më parë. Irani dhe Hamasi e konsiderojnë Izraelin përgjegjës për sulmin.

Vetëm disa orë më parë, Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut Fuad Shukr në kryeqytetin libanez, Bejrut gjatë një sulmi ajror. Milicia shiite e Hezbollahut është një nga aleatët më besnikë të Iranit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›