E Enjte, 5 Nëntor 2026

TEL AVIV – Gallant kërkon një marrëveshje të shpejtë për pengjet

TEL AVIV/GAZA, 1 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant bëri thirrje sot për një takim urgjent të kabinetit të sigurisë, pas zbulimit të trupave të gjashtë pengjeve në Rripin e Gazës.

”Kabineti duhet të ndryshojë vendimin e tij për të mbajtur kontrollin mbi kufirin midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit”, shkroi Gallant në X.

Vendimi shihet si një pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme me organizatën militante palestineze Hamas për lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosur palestinezë.

“Është tepër vonë për pengjet që u vranë me gjakftohtësi. Ne duhet t’i kthejmë pengjet që ende mbahen nga Hamasi”, shkroi Gallant.

Ai shtoi se Izraeli do të zgjidhë problemet me të gjithë “udhëheqësit dhe vrasësit e Hamasit”.

Kabineti i sigurisë votoi në fillim të kësaj jave për të mbajtur trupat izraelite të stacionuara në Korridorin e Filadelfit, një shtrirje prej 14 kilometrash që ka qenë një pikë e madhe pengese në negociatat indirekte në vazhdim me Hamasin në lidhje me një armëpushim të mundshëm.

Izraeli argumenton se disa tunele të Hamasit që lejojnë kontrabandën e armëve midis Egjiptit dhe Gazës janë nën korridor, një pretendim që Egjipti e ka mohuar.

Sipas raporteve të medias, një debat i nxehtë u zhvillua gjatë takimit të kabinetit midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Gallant, i cili thuhet se akuzoi Netanyahun se i jepte përparësi kontrollit ushtarak mbi kufirin Gaza-Egjipt në kurriz të përpjekjeve për të liruar pengjet izraelite.

Ai dyshohet se deklaroi se vendimi i Netanyahu mund të dënojë me vdekje të gjithë pengjet./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›