TEL AVIV – Izraeli heton 16 sulme në Gazë për shkelje të mundshme të ligjit

TEL AVIV, 15 nëntor /ATSH-DPA/ Ushtria izraelite po heton aksionet e saj në 16 sulme në Rripin e Gazës me dyshimin për shkelje të ligjit.
Sulmet ndodhën midis 21 tetorit dhe 2 nëntorit.
Ushtria izraelite tha sot se shqyrtimi i rasteve është ende në proces, dhe për këtë arsye nuk mund të jepeshin detaje.
Sipas Haaretz, rastet përfshijnë sulme ajrore ndaj ndërtesave të banuara dhe ish-ndërtesave të shkollave, në të cilat, sipas palestinezëve, shumë njerëz u vranë.
Në rastin e një sulmi në një ish-ndërtesë shkolle në fund të tetorit, ushtria tha në atë kohë se forcat kishin shënjestruar një qendër komandimi të lëvizjes islamike Hamas – dhe se ishin marrë masa të shumta për të reduktuar rrezikun për civilëve.
Bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e mijëra palestinezëve, shumë prej tyre civilë, ndërsa ushtria izraelite ka zhvilluar luftën kundër Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste.
“Në të 16 sulmet, ekziston dyshimi se sulmet ishin joproporcionale ose shkelnin ligjin ndërkombëtar humanitar”, raportoi Haaretz.
Gazeta tha se hetimet e brendshme shërbejnë gjithashtu për të penguar thirrjet për hetime ndërkombëtare për krime të dyshuara lufte.
Hetimet në Izrael po kryhen nga një komitet ushtarak që, sipas ushtrisë, është i pavarur.
Rezultatet më pas do t’i përcillen prokurorit të përgjithshëm ushtarak, i cili do të vendosë nëse do të hapë një hetim penal.
Sipas gazetës, hetimet mund të zgjasin me vite dhe shpesh pushohen.
Sipas ushtrisë, gati 2000 incidente i janë dorëzuar komitetit për shqyrtim – që nga fillimi i luftës më shumë se një vit më parë. //a.i/