TEL AVIV – Izraeli miraton gjykatë ushtarake për autorët e sulmit të 7 tetorit

TEL AVIV, 12 maj /ATSH-DPA/ – Izraeli ka miratuar krijimin e një gjykate të posaçme ushtarake për të gjykuar personat e përfshirë në sulmin e 7 tetorit 2023, të kryer nga Hamas dhe fraksione të tjera ekstremiste.
Ligji u miratua mbrëmë në mesnatë në parlamentin izraelit në Jerusalem me 93 vota pro nga 120 deputetë, në leximin e tretë dhe të fundit.
Gjykata do të ketë selinë në Jerusalem, megjithëse ende nuk është bërë e ditur se kur do të nisë funksionimin.
Sipas medieve izraelite, ligji përfshin edhe një interpretim të debatueshëm të legjislacionit ekzistues, i cili mund të hapë rrugën për vendosjen e dënimit me vdekje ndaj autorëve të sulmeve të 7 tetorit.
Autoritetet izraelite thonë se më shumë se 3 mijë militantë morën pjesë në sulmet ndaj komuniteteve pranë kufirit, ndërsa disa civilë palestinezë dyshohet se janë përfshirë në akte dhune dhe plaçkitjeje.
Sulmuesit vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, duke i dërguar në Rripin e Gazës.
Sulmi shkaktoi luftën shkatërruese të Izraelit në Gaza.
Sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Hamasi në Gaza, mbi 72 700 palestinezë janë vrarë që atëherë. /Ad.Ab./ a.jor.