TEL AVIV – Izraeli përkujton viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH-DPA/- Në Izrael kanë nisur shërbimet përkujtimore për përvjetorin e parë të sulmit terrorist të Hamasit.
Presidenti izraelit Isaac Herzog mbajti një minutë heshtje sot në mëngjes pranë vendit të festivalit muzikor Nova, ku u përkujtua ngjarja tragjike e 7 tetorit 2023.
Në kohën kur po fillonin përkujtimet, ushtria izraelite njoftoi se katër raketa ishin hedhur në drejtim të Izraelit nga Gaza jugore.
“Tre nga raketat u kapën, ndërsa një u ul në një zonë të hapur”, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Në sulmin e paprecedentë terrorist të 7 tetorit 2023, më shumë se 1200 njerëz u vranë në Izraelin jugor dhe rreth 250 u morën peng në Rripin e Gazës.
Ndërsa kombi bashkohet në zi, vendi është gjithashtu i ndarë në qasjen e tij ndaj shërbimeve. Të afërmit e pengjeve po organizojnë mitingun e tyre përkujtimor në Tel Aviv.
Më vonë, qeveria izraelite do të transmetojë një shërbim përkujtimor që është regjistruar paraprakisht në Izraelin jugor.
Në funksion të rregulloreve të sigurisë në fuqi për shkak të kërcënimit të sulmeve me raketa, vetëm maksimumi 1000 persona lejohen të marrin pjesë në terren.
Shërbimet përkujtimore do të transmetohen në internet dhe në programe të veçanta televizive. //a.i/