TEL AVIV – Izraeli tërheq statusin e tetë diplomatëve norvegjezë

TEL AVIV, 8 gusht /ATSH-DPA/- Izraeli ka tërhequr statusin diplomatik të tetë përfaqësuesve norvegjezë përgjegjës për marrëdhëniet e Norvegjisë me territoret palestineze, njoftoi sot Ministria e Jashtme në Jerusalem.
Ministria tha se ministri i Jashtëm Israel Katz e kishte informuar Norvegjinë se po anulonte statusin diplomatik të përfaqësuesve norvegjezë me qendër në Izrael që merreshin me territoret.
Në maj, Norvegjia, Spanja dhe Irlanda vendosën të njohin shtetin palestinez, diçka që Izraeli e ka refuzuar fuqimisht.
“Kushdo që na sulmon dhe ndjek një politikë të njëanshme kundër nesh do të paguajë çmimin”, tha Katz.
“Në vend që të luftojë kundër terrorit palestinez pas 7 tetorit dhe të mbështesë Izraelin, i cili po lufton kundër boshtit të së keqes iraniane, Norvegjia ka zgjedhur t’u japë vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit një çmim në formën e njohjes së një shteti palestinez”, shtoi ai.
Statusi diplomatik i përfaqësuesve duhet të tërhiqet brenda shtatë ditëve që nga njoftimi.
Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide e quajti veprimin e Izraelit një “akt ekstrem”.
Sipas një deklarate nga ministria e tij, Eide tha se “Norvegjia është një mike e Izraelit dhe do të jetë gjithmonë”.
Megjithatë, Norvegjia vazhdon të kritikojë pushtimin, mënyrën në të cilën po zhvillohet lufta në Rripin e Gazës dhe vuajtjet që i ka shkaktuar lufta popullatës civile palestineze. //a.i/