TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli nuk do të heqë dorë nga kontrolli i Korridorit të Filadelfit

TWL AVIV, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se Izraeli nuk do të heqë dorë nga kontrolli mbi Korridorin e Filadelfit, një brez 14 kilometra në kufirin midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, pavarësisht nga zemërimi i protestuesve.
“Ne nuk do të largohemi prej andej”, tha Netanyahu në një konferencë për shtyp duke e quajtur praninë ushtarake të Izraelit ”një domosdoshmëri strategjike dhe politike për Izraelin”.
Por, nëse ushtria mbetet në zonë, atëherë një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
Si Hamasi ashtu edhe Egjipti po kërkojnë që Izraeli të tërheqë trupat e tij.
Netanyahu tha se Hamasi do të paguante një “çmim shumë të lartë” për vdekjen e gjashtë pengjeve izraelitë, trupat e të cilëve u zbuluan në një tunel nëntokësor në jug të Rripit të Gazës gjatë fundjavës.
Sipas raporteve të mediave, Ministria izraelite e Shëndetësisë deklaroi se pengjet ishin qëlluar nga një distancë e afërt.
“Kërkoj falje që nuk ia dolëm t’i sjellim të gjallë në shtëpi”, shtoi Netanyahu.
Në disa demonstrata në Izrael të hënën, mijëra njerëz kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Ata akuzojnë Nentanyahun se i jep përparësi kontrollit ushtarak mbi kufirin Gaza-Egjipt në kurriz të përpjekjeve për lirimin e pengjeve izraelite.
Pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociata është aktualisht çështja se sa kohë mund të qëndrojnë trupat izraelite të stacionuara në Korridorin e Filadelfit.
Kabineti i sigurisë së Izraelit kohët e fundit votoi për të mbajtur kontrollin e korridorit.
Izraeli argumenton se disa tunele të Hamasit që lejojnë kontrabandën e armëve midis Egjiptit dhe Gazës janë nën korridor, një pretendim që Egjipti e ka mohuar./ a.jor.